16 vite “Ora News, Luan Baçi: Vlerësim maksimal për një media që vërtetë vë në plan të parë interesin e publikut

Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi, “shfrytëzoi” intervistën e tij për “Ora News” për të uruar datëlindjen e 16-të të këtij institucioni mediatik.

“Jo se është zakon që je në një studio televizive dhe të bëhet një pyetje për atë televizion ku je, dhe gjithmonë thuhen fjalë të mira.

Por kjo nuk vlen në rastin e Ora News, e cila është një nga mediat më objektive në vend, nga mediat më të pavarura, një nga mediat që nuk ka parë interesin e kompanisë nga ana financiare, por ka parë interesin publik dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

Kjo ka qenë dhe arsyeja që është goditur fuqishëm gjatë kësaj periudhe të pushtetit të Edi Ramës, deri aty sa ne duhet të kujtomë dhe të gjithë e kujtojmë që RTV Ora është pushtuar nga forcat speciale me urdhër të Ramës.

Është keqpërdorur, është sulmuar fuqishëm dhe sot që ne flasim është përsëri nën sekuestro një pjesë e saj, një rast ky i paprecedentë ndaj medias së lirë dhe ndaj Rtv Ora dhe Ora News.

Vlerësim maksimal për një media që vërtetë vë në plan të parë interesin e publikut dhe jo interesat e biznesit, të atij biznesi që përfaqëson”, u shpreh deputeti demokrat Luan Baçi.