"Të shfuqizohet Bordi i Ushqimit", deputeti i PD-së: Qeveria nuk mbron konsumatorët
28 deputetë të Partisë Demokratike bënë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e bordeve për caktimin e çmimeve bazë të ushqimeve, e cila u mor në shqyrtim këtë të hënë. Sipas tyre ngritja e këtyre bordeve nuk e ka përmbushur qëllimin për të cilin është ngritur.
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për të shfuqizuar Bordin e Transparencës sa i përket çmimit të ushqimeve, pasi sipas tyre ajo ka dështuar për të mbrojtur interesat e qytetarëve
Marash Logu: Duhet që qeveria të kryente një analizë të rrethanave për të përcaktuar Bordin. Nuk del që Këshilli i Ministrave të ketë kryer një analizë të rrethanave. Ka një formulim të përgjithshëm pa asnjë fakt që ka rezultuar në nxjerrjen e këtyre akteve normative. Në këtë rast kemi të bëjmë me një kufizim të lirisë së tregut, që vendos vetë çmimet. Interesi publik duhet të jetë mbrojtja e qytetarëve. Po qeveria mund të kishte dhe mekanizma të tjerë. Interes publik për mbrojtjen e qytetarëve. Ka një rritje te jashtzakonshme të çmimeve. Nëse qëllimi i Bordit ishte mbrojtja, qartazi ky qëllim ka dështuar, sepse çmimet janë rritur.
Të njëjtën linjë mbajti dhe deputeti opozitar Dashnor Sula, ku sipas tij, çmimet e shportës janë rritur 76.7%, më e larta në rajon.
Dashnor Sula: Qeveria ka interes të mbushë arkën e shtetit me miliona euro. Këto miliona i merr nga xhepat e shqiptarëve.Qeveria vetëm pasurohet, ndërsa shqiptarët vetëm varfërohen. Kjo qeveri nuk ka sjelle asnjë risi dhe nuk ka mbrojtur konsumatorët.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave u shprehën se nuk ka asnjë shkelje në Kushtetutë për krijimin e Bordit si dhe sipas tyre kriza e çmimeve nuk ka nisur vetëm prej luftës në Ukrainë, por edhe nga faktorë të tjerë.
Irma Qosja: Kërkojmë rrëzimin e çështjes. Aktet janë të gjitha në përputhje me Kushtetutën. Çdo akt i vendosur është vënë në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
Erald Jonuzaj: Nevoja për Bordin nuk është krijuar vetëm nga lufta në Ukrainë. Kriza e energjisë ka nisur që në tetor të vitit 2021. 90% e akteve normative kanë pasur ndikim nga pandemia, tërmeti dhe lufta.
Gjykata Kushtetuese do të japë vendimin e saj nëse Bordi do të shfuqizohet brenda 30 ditëve, afati i nevojshëm për të shqyrtuar dokumentet dhe materialet.
Ndërkohë PD ka ngritur edhe një padi për shfuqizimin e Bordit të Karburanteve, e cila akoma nuk është marrë në shqyrtim nga gjykata.
