Orgesh Shehi “Trajnerit i vitit 2022”. Shpallet edhe skuadra më e mirë (VIDEO)
Futbolli shqiptar nderon më të mirët e vitit që sapo lamë pas. Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga FSHF, “Më të Mirët 2022” po dorëzon çmimet për disa kategori të ndryshme.
Orges Shehi është shpallur sot nga FSHF si fituesi i çmimit “Trajnerit i vitit 2022”, pasi ia doli që të udhëhiqte ekipin e Tiranës drejt titullit të 26-të kampion! Të nominuar për të fituar këtë çmim ishin edhe trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, si edhe trajneri i Egnatias, Shpëtim Duro.

Përveç çmimeve individuale në mbrëmjen gala të FSHF-së është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit 2022 i përbërë nga 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre në kampionatin elitar të Shqipërisë. Përbërja e formacionit të vitit është kjo: Visar Bekaj (portier), Erdenis Gurishta (mbrojtës), Eneo Bitri (mbrojtës), Filip Najdovski (mbrojtës), Esin Hakaj (mbrojtës), Arinaldo Rrapaj (mesfushor), Mentor Mazrekaj (mesfushor), Masanga Matondo (mesfushor), Taulant Seferi (sulmues), Redon Xhixha (sulmues), Xhuliano Skuka (sulmues).
Këpuca e Artë 2022 për djem i ka shkuar sulmuesit të Laçit, Saliou Guindo, i cili e mbylli sezonin e kaluar në kuotën e 19 golave, duke e siguruar kështu çmimin e golashënuesit me të mirë. Për t’i dorëzuar trofeun sulmuesit në skenë është ftuar një personazh i veçantë, ish-kampioni i Botës dhe i Europës me Francën, Kristian Karembë, teksa Guindo ka falënderuar të gjithë të pranishmit për mbështetjen.

Çmimi “Lojtari i ri më i mirë” shkon për ish-portierin e Dinamos, Simon Simoni, tashmë pjesë e Eintracht Frankfurt.

Këpuca e Artë 2022 për vajza i ka shkuar sulmueses së Vllaznisë, Megi Doçi, rekordmene absolute në kampionatin e vajzave me fanellën kuqeblu me 66 gola të shënuar sezonin e kaluar, ndërsa trofeun ia ka dorëzuar anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.

Këtë herë në skenë është ngjitur ambasadorja e futbollit të vajzave, Valbona Selimllari, e cila ka lexuar emrin e fitueses së çmimit sipas votimit. Çmimi i ka shkuar Rosela Vasës, talentes 16-vjeçare që ka spikatur me ekipet kombëtare të moshave dhe klubin e Kukësit.

Arbitrat kanë pasur pjesën e tyre të rëndësishme në vitin e futbollit me vendimet e tyre në fushë dhe sigurisht që FSHF kishte menduar të jepte edhe një çmim për “Arbitrin më të mirë të vitit 2022”. Tre emrat e përzgjedhur si finalistë përmes votimit ishin Juxhin Xhaja, Eldorian Hamiti e Enea Jorgji. Ishte Juxhin Xhaja ai që e fitoi këtë trofe.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2022” të nominuarit janë: Xhuliano Skuka, Mentor Mazrekaj dhe Redon Xhixha.
Në përditësim...
