Regjimi iranian rrit “dozën” e arrestimeve, Borrell: Nuk mund ta shpallim Gardën Revolucionare të Iranit si terroriste

Në Iran vijonë protestat masive, kundër regjimit, ndërkohë që autoritetet kanë arrestuar me qindra persona të tjerë, mes tyre edhe 3 gazetare. Lidhur me këtë situatë, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se nuk mund ta shpallnin Gardën Revolucionare të Iranit si terroriste.

Regjimi iranian ka rritur dozën e arrestimeve, kundrejt protestueve, të cilët prej muajsh janë ngritur në demostrata masive kundër Teheranit.

Së fundmi, autoritetet iraniane kanë arrestuar me qindra protestues, ku në mesin e tyre janë edhe 3 gazetare femra.

Sindikata e FGazetarëve të Teheranit deklaroi se të arrestuara nga autoritetet ishin Melika Hashemi, Saideh Shafiei dhe Mehrnoush Zarei.

Sipas sindikatës, ato janë dërguar burgun e Evinit, aty ku janë mbyllur në qeli së bashku edhe me shumë persona të tjerë, të arrestuar më herët.

Sipas raportimeve që vijnë Irani, deri më tani mund të jetë arrestuar rreth 80 gazetarë dhe reporterë, ndërkohë që për burgosjen e 3 gazetareve, zyrtarët nuk dhanë asnjë shpjegim.

Lidhur me situatën që po ndodh në Iran ka reaguar edhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell.

Kryediplomati europian tha se BE-ja nuk mund ta shpallë Gardën Revolucionare të Iranit si terroriste, pas thirrjes së përbashkët nga Parlamenti Evropian javën e kaluar, duke i kërkuar Këshillit të BE-së të shpallte Gardën Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste, duke i akuzuar për furnizimin me dronë të Rusisë dhe për shtypjen e dhunshme të protestave kundër regjimit.

Josep Borrell: Është diçka që nuk mund të vendoset pa një vendim gjykate. Nuk mund të thuash që të konsideroj terrorist sepse nuk të dua unë.

Ai shtoi më tej se gjykata e një vendi anëtar të BE-së, duhej të merrte një vendim konkret ligjor, përpara se vetë Unioni të mund të vepronte.

Protestat e dhunshme kanë shpërthyer në Iran, që prej 16 shtatorit të vitit të kaluar, pas vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, nga Policia e Moralit.

Ajo u arrestua për moszbatimin e kodit të rreptë të veshjes për gratë në vend dhe ndërroi jetë në qelitë e paraburgimit.