Trageti në Palermo ka 10 ditë që digjet, zjarrfikësit nuk ndërhyjnë dot
Në portin e Palermos, trageti GNV Superba digjet që prej 14 janarit 2023. Dyshohet se flakët e shpërthyera në garazhin e anijes janë ndezur nga mjetet që kanë qenë të parkuara.
Temperaturat e arritura i kalojnë njëmijë gradë dhe për këtë arsye zjarrfikësit nuk kanë mundësi të ndërhyjnë. Automjete speciale u dërguan nga Genova në përpjekje për të shuar zjarrin.
Ndërsa, vazhdon monitorimi i temperaturës dhe në të njëjtën kohë, inspektimet në terren dhe operacionet paraprake për të garantuar aksesin në kuvertën 4 për të vazhduar me operacionet e shuarjes.
"Temperaturat kanë arritur nivele shumë të larta - thotë komandanti i zjarrfikësve, Sergio Inzerillo - dhe pjesa e brendshme e anijes është ende inkandeshente. Synimi ynë është që të sigurojmë që shpërthimet në kuvertën 4 të ndalojnë në ditët në vijim. Fatkeqësisht, përzierjet e ndezshme ushqeheshin nga era që depërton në vrima të vogla."
Komandanti i zjarrfikësve të Palermos Sergio Inzerillo po koordinon operacionet e shumë njerëzve dhe automjeteve të përfshira në shuarjen e flakëve të tragetit GNV Superba.
Që nga e shtuna e 14 janarit, anija Superba, e ankoruar në Palermo, do të nisej për në Napoli dhe në vend të kësaj mbeti e palëvizshme për shkak të flakëve të shkaktuara ndoshta nga një prej automjeteve që ndodheshin në garazh, edhe pse shkaqet ende nuk janë përcaktuar.
Aktivizimi i procedurave të urgjencës dhe evakuimi i menjëhershëm i 180 pasagjerëve që niseshin për në Napoli dhe tetëdhjetë anëtarëve të ekuipazhit siguroi që të mos kishte dëme për njerëzit.
