Rusia konflikt me Estoninë, Moska i kërkon ambasadorit estonez të largohet nga vendi

Rusia shpalli dëbimin nga vendi të ambasadorit të estonisë duke e akuzuar vendin anëtar të NATO-s dhe BE-së për qëndrim arsmiqësor. Vendimi erdhi një ditë pasi autoritetet estoneze apeluan për dërgimin e tankeve gjermane në ukrainë. Ministrja e jashtme gjermane ka thënë se nuk i pengon vendet e tjera ta bëjnë këtë veprim por mungesa e një vendimi është bërë shkak që vendet aleate të planifikojnë një takim të dytë në shkurt.

Rusia ka nisur konfliktin diplomatik me vendin anëtar të NATO-s dhe BE, Estoninë për shkak të luftës në ukrainë. Autoritetet ruse urdhëruan dëbimin e ambasadorit të Estonisë duke e akuzuar për rusofobi.

Ambasadori Margus Laidre, duhet të largohet nga Moska deri më 7 shkurt ndërsa vendimi duket se lidhet edhe me kërkesën që autoritetet estoneze i bënë Rusisë që të zvogëlojë në mënyrë drastike personelin në ambasadën e saj në Talin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova dënoi kërkesën për të shkurtuar stafin  duke theksuar se “nuk është sekret që Estonia është një nga vendet armiqësore ndaj Rusisë.

Megjithatë dëbimi i ambasadorit, erdhi një ditë pasi Estonia, në të njëjtën linjë me Letoninë dhe Lituaninë i bënë thirrje Gjermanisë t'i hapë rrugë dërgimit të tankeve Leopard 2 në Ukrainë. Debati për këtë çështje po vazhdon ndërsa ministrja e jashtme e Gjermanisë, Ana Baerbock, ka thënë se Berlini nuk do të pengonte Poloninë nëse ata do të dërgonin tanket Leopard 2 në Ukrainë.

Megjithatë Gjermania ka ligje të eksportit që pengojnë vendet e tjera që ta bëjnë këtë dërgim pa një autorizim nga prodhuesi I tankeve. Nga ana tjetër dërgimi I mjeteve të tilla nga vendet perendimore në Ukrainë, ka sjellë reagimet e Rusisë pasi zyrtarët e saj kanë rikthyer në vëmendje përdorimin e armëve bërthamore.

Në një përballje me gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka refuzuar të thotë nëse Putin do të kërkojë ose jo rizgjedhjen në postin e kreut të shtetit duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë njoftim për këtë çështje.

Në vitin 2021, Putin nënshkroi amendamentet kushtetuese në ligj, të cilat do t'i lejonin atij të kërkonte edhe dy mandate të tjera gjashtëvjeçare pas përfundimit të presidencës së tij aktuale në vitin 2024.