Tragjedia ndodh para syve të miqve/ Po kalonte shinat, përplaset për vdekje nga treni 15-vjeçari shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në stacionin hekurudhor Chiari në Brescia të Italisë, ku 15-vjeçari shqiptar, Elion Shala, humbi jetën pasi u përplas mbrëmjen e djeshme nga një tren.

Mësohet se e gjithë skena tragjike ka ndodhur në sy të miqve që ndodheshin me të, të cilët dhanë menjëherë alarmin, por me gjithë ndihmën, nuk mund të bëhej asgjë për të riun.

I riu tentoi që të kalonte shinat pa i kushtuar vëmendje nëse aty po kalonte apo jo një tren.

Edhe pse treni tentoi që të frenonte, pasojat ishin fatale për djalin, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë. Përplasja ka qenë shumë e dhunshme dhe ka ndodhur nën sytë e tmerruar të bashkëmoshatarëve.

Familja e shqiptarit, e cila jetonte jo shumë larg stacionit të Chiarit, është tronditur, dhimbje që e ka ndjerë i gjithë komuniteti. Adoleshentin shqiptar thuhet se e njihnin të gjithë, ndërsa ndiqte shkollën e mesme në qytet dhe luante në ekipin lokal të futbollit. /Nanopress.it