Zbërthehen dronët e rusëve në uzinën e Gramshit, filmuan repartin RENEA, digën e Bovillës dhe HEC-et
Droni vëzhgues i sekuestruar dy shtetasve rusë dhe ukrainasit, që u arrestuan pranë uzinës së Gramshit disa muaj më parë, është zbërthyer nga hetuesit shqiptarë. Materialet e gjetura tregojnë se të dyshuarit për spiunazh gjatë qëndrimit në Shqipëri, kanë forografuar e filmuar objekte të rëndësisë së veçantë si reparti RENEA, ujëmbledhësi i Bovillës, repartet ushtarake apo digat e hidrocentraleve.
Hetuesit shqiptarë kanë zbërthyer dronët, të dy shtetasve rusë dhe ukrainasit të arrestuar pak muaj më parë pranë Uzinës së Gramshit, me dyshimet për aktivitet spiunazhi në Shqipëri.
Menjëherë pas arrestimit të shtetasit Mikhail Zorin, bashkë me Svetlana Timofeevan dhe ukrainasin Fiodor Mihailoviç teksa po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve në Gramsh, Policia dhe Prokuroria shqiptare, u sekuestruan atyre celularë, aparate fotografike, dhe dronë të pajisur me mjete fotografimi e filmimi.
Këto pajisje u dorëzuan për ekspertim në ditët e para të muajit gusht, ndërkohë që specialistët tashmë duket se kanë përfunduar kqyrjen e tyre. Burimet nga hetimi thanë se Policia dhe Prokuroria e Elbasanit, kanë në duar ekspertizën e një prej dronëve që sekuestruan pas arrestimit të dy shtetasve rus dhe një ukrainas në uzinën e Gramshit. Hetuesit thanë se nga kqyrja e dronit është zbuluar se në memorjen e tij kishte pamje të disa institucioneve dhe reparteve të rëndësisë së veçantë në Shqipëri.
Konkretisht, dy rusët dhe ukrainasi kishin kryer fotografime e filmime të repartit RENEA, liqenit i Bovillës dhe repartit ushtarak pranë tij, rafinerinë e Patosit, si dhe disa objekte të tjera të rëndësishme ushtarake, përfshirë reparte, depo dhe vend-komanda. Grupi i hetimit mësohet se është në pritje të përgjigjes së ekspertizës për një tjetër dron të sekuestruar gjatë arrestimit të shtetasve të huaj.
Po kështu pritet verifikimi i ekspertëve edhe në aparatet celularë dhe pajisjet e tjera që iu kapën tre të arrestuarve, të dyshuar si spiunë. Javën e kaluar pozita penale e të pandehurit Mikhail Zorin u rëndua pasi në dosje u administrua akt ekspertimi mjekësor i ushtarakëve shqiptarë, të cilëve ai u hodhi lëndë kimike në fytyrë në momentin që u përball me ta, gjatë tentativës për të hyrë në uzinën e Gramshit.
Sipas ekzaminimit rojet e uzinës, Ardjan Xhaka dhe Aldo Bici, efektiva të ushtrisë, kishin djegie të shtresës së lëkurës, dhimbje koke, shikim të turbullt dhe skuqje e tharje fyti. Dëmtimet janë shkaktuar nga ekspozimi me gaz ndërsa Bici kishte edhe shembje të indeve të buta të dorës së djathtë.
Mjekët kanë vlerësuar se dëmtimet e shkaktuara hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë humbjen e aftësisë së përkohshme në punë në masën 9 ditë, duke u klasifikuar si plagosje me dashje.