Përmbytjet, rreziku s’ka kaluar, nisin shkarkimet nga HEC-et në Shkodër
Reshjet e shiut që kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit kanë shkaktuar edhe problematikat e para. Në Shkodër kanë nisur shkarkimet nga Hidrocentralet, ndërsa në mesditën e të mërkurës janë shënuar edhe përmbytjet e para. Dhjetëra fshatra në Shkodër, Lezhë, Kukës, Korçë dhe Vlorë janë pa energji elektrike, ndërsa rreziku sipas Emergjencave Civile vijon deri të shtunën.
Nga digat e Hidrocentraleve në Shkodër ka nisur paraditen e të mërkurës shkarkimi u kontrolluar i ujit.
Sipas informacioneve që vijnë nga atje aktualisht janë duke u shkarkuar nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës 1700 metër kub ujë për sekondë.
Reshjet e shumta kanë bërë që vetëm në lumin Drin në harkun kohor të pak orëve niveli të rritet me 25 centimtër.
Pellumb Dani, shefi i Emergjencave Civile në Shkodër, tha se situate është nën kontroll por rreziku mbetet i lartë deri të shtunën.
"Jemi në monitorim të situatës dhe po bashkëpunojmë dhe me KESH-in që po monitorojnë situatën hidrike. Shkarkimet kanë vijuar duke mos bërë problem për situatën, por dhe është një masë paraprake për të përballuar situatën nëse reshjet do kenë intensitet," tha ai.
Lumi Buna ka dalë nga shtrati mesditën e së mërkurës në Muriqan dhe Oblikë, duke përmbytur rreth 300 hektarë tokë.
“Janë në gatishmëri, janë marrë masat. Bashkitë kanë punuar në kohë për të paraprirë përmbytjeve të mundshme. Një sasi e jashtëzakonshme reshjesh në disa zona mund të na përballë me emergjenca të pashmangshme dhe duhen marrë masa shtesë pa rrezikuar jetën e qytetarëve.
Bazuar në informacionet e dërguar nga IGJEUM, parashikimet për ditët në vazhdim, dhe sot janë si më poshtë. Sot priten reshjet intensive, në Shkodër dhe Kukës. Reshjet në Lezhë dhe Dibër, mesatare në qarqet e tjera.
Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër pritet të shoqërohen me shtrëngata. Për paralajmërimin e popullsisë, në zonat e Nënshkodrës. Të marrë masa për monitorimin e lumit Bunë e Kir. Kontrollin e argjinaturave të lumenjve dhe digave”, tha Peleshi.
Në Shkodër problematika me furnizimin me energji elektrike janë shfaqur në të gjitha njësitë administrative.
Problemet me energjinë elektrike janë shfaqur edhe në qarkun e Korçës, ku sipas Shtabit të Emergjencave pa energji janë zonat Kolonjë, Gorë, Mokër, Leskovik e Panarit.
Me të njëjtën problematikë është hasur edhe Vlora.
Si pasojë e erërave të forta ka pasur mungesë të furnizimit me energji elektrike në dhjetëra fshatra.
Ndërkohë lundrimi në det të hapur është i pafavorshëm deri në përmirësimin e motit.
Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se janë anuluar nisjet nga Bari dhe Ankona drejt Durrësit, gjatë ditës së mërkurë.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Vlorë me lundrimet që janë pezullaur të gjitha.
Moti i keq me shi dhe erë të fortë, ka bllokuar punën në portin e Shëngjinit.
Anijet, peshkarexhat dhe varkat e vogla janë ankoruar në port dhe nuk do të lejohet lundrimi deri në përmiresimin e kushteve atmosferike.
Në zonen e Kunës në Shëngjin, dallgët e detit kanë arritur deri në shëtitore, duke shkaktuar dëme të vogla në këtë investim që është bërë vitet e fundit.
Në zonat malore në veri të vendit ka pasur reshje dëbore, ku trashësia e saj ka shkuar në disa centimera, ndërsa nuk raportohen bllokim rrugësh.
Forcat e Armatosura janë angazhuar në nivel kombëtar 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor dhe Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.