104 civilë të vrarë në Ukrainë, OKB publikon shifrat: Mbi 7 mijë civilë të vdekur nga fillimi i luftës
Sulmet ruse në Ukrainë janë shtuar në 24 orët e fundit ku është raportuar për lëshimin e 70 raketave në zonat lindore. Zyrtarët vendas kanë paralajmëruar për agresion të shtuar nga ana e Rusisë në muajin shkurt dhe mars, dhe për këtë kanë kërkuar përshpejtim të ndihmave me armë. Ndërkohë Kievit pritet që ti akordohet edhe kësti i parë prej 3 miliard eurosh i mbështetjes nga Bashkimi Europian.
Në kushtet kur Rusia ka shtuar numrin e sulmeve, Ukraina pritet që brenda kësaj jave të marrë këstin e parë të ndihmës prej 3 miliardë eurosh akorduar nga Bashkimi Europian.
Një zyrtar i lartë vendas tha se për vitin 2023, Ukraina do të përfitojë 18 miliardë euro ndihmë makro-financiare nga Unioni.
Në dhjetor të vitit të kaluar, BE mbështeti propozimin e Komisionit Evropian për të ndarë burime shtesë financiare për Ukrainën për vitin 2023. Ndërkohë, sa i përket luftës në Ukrainë nga 1 janari i vitit të kaluar dhe deri në 15 janar të 2023-shit, janë vrarë të paktën 104 civilë, sipas raportit të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka llogaritur se të paktën 284 civilë janë lënduar që nga fillimi i vitit, ndërsa shton se numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë. Numri i konfirmuar i vdekjeve të civilëve në Ukrainë që nga pushtimi ushtarak rus, ka tejkaluar 7,000 civilë dhe më shumë se 11,000 njerëz janë plagosur.
OKB-ja vëren se shumica e viktimave civile u shkaktuan nga përdorimi i armëve shpërthyese me një zonë të madhe ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave të shumta lëshuese, si dhe sulmet me raketa dhe ajrore.
Nga ana tjetër shtabi i ushtrisë së Ukrainës, ka theksuar se Rusia ka pozicionuar anije të tjera me lëshues raketash në Detin e Zi, çka tregon se po përgatiten për një fazë të re sulmesh ajrore. Ukraina i friket një përshkallëzimi të mëtejshëm të sulmeve rusë teksa një zyrtar ukrainas ka deklaruar se Moska mund të tentojë atë që konsiderohet si shtytje përfundimtare.
Oleskiy Danylov, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Ukrainës, bëri thirrje për një përshpejtim të furnizimeve me armë në Ukrainë për ta ndihmuar atë të luftojë një ofensivë të mundshme të ripërtërirë nga Rusia e cila mund të ndodhë në 24 shkurt ose në muajin mars.
Intensifikimi i sulmeve mund të përfshije qytetin e minierave të kripës Soledar, në të cilin ka pasur shumë viktima javët e fundit. Në 24 orët e fundit sulmet ruse janë përqëndruar në zonat lindore të Ukrainës në të cilat janë lëshuar mbi 70 raketa.