Anëtarë partie fake nën emra shqiptarësh: Paditet Partia "Sinistra Italiane"

Një skandal me tesera partiake false e nën emra shqiptarësh ka përfshirë Partinë "Sinistra Italiane", (E majta Italiane).

Shqiptarë, shumica pa dijeninë e tyre, janë përdorur për të shtuar radhët e Partisë "E Majta Italiane" në qendrën rajonale të Toskanës.

Ky skandal ka çuar sekretarin e degës së Sienës, të bëj paditjen në Polici e të vendos funksionimin territorial të kësaj force politike nën komisariatin e Kryesisë Qendrore të Partisë.

Skandali është zbuluar dhe është bërë publik nga sekretari i degës së Sienës, Antonio Canzano, i cili më 12 dhjetor 2022, në sistemin online të Partisë ka vërtetuar regjistrimin e 10 shtetasve shqiptarë, të gjithë me të njëjtin e-mail, shumica me të njëjtin numër celularë, disa nuk kishin fare numër, e me një procedurë që ishte kryer brenda gjysmë ore të së njëjtës ditë.

Në nivel lokal partiak ka nisur verfikimi i këtyre emrave ku u vërtetua se adresat e banimit nuk ishin të tyre, ndërsa numrat e telefonit që kishin regjistruar në sistemin e partisë ishin të pa ekzistueshëm.

Pas sinjalizimit të kësaj anomalie në Kryesinë Qendrore, Sekretarit të degës së Sienës i janë përcjellë numrat të tjerë për të kontaktuar shqiptarët e regjistruar. Sipas dëshmisë së tij të gjitha numrat kishin prefiksin e Shqipërisë 00355.

Sipas dëshmisë së Antonio Canzano, vetëm dy nga këta numra i janë përgjigjur telefonatës së tij; i pari ishte një zotëri që banonte në Tiranë i cili i kishte garantuar se nuk ka aderuar në asnjë Parti Politike italiane, ndërsa numri i dytë i përkiste një zonje, e cila kishte pranuar se ia kishte dhënën numrin e telefonit për t’i bërë favor dikujt.

Menjëherë pas këtyre dëshmive, është bërë paditje në Polici për anëtarësim fake në radhët e sektrariatit rajonal të kësaj Partie.

Kësaj anomalie specifike i shtohen raste të ngjashme dhe në territorin e Firences e një boom anëtarësimesh të dyshimta në rajonin e Toskanës.

Për çfarë ka ndodhur Kryesia e Partisë ka ngritur një Komision Special verifikimi dhe pas zgjedhjeve politike të shtatorit, funksionimi i hallkave politike të së Majtës Italiane në Toskana është vënë nën menaxhimin e Kryesisë Qendrore, apo ndryshe nën Komisariatin e Partisë Qendrore.

Nuk është hera e parë që anëtarësime partie të forcave të politikës së majtë italiane kanë përfshirë emigrantët shqiptare.

Disa vite më parë ka qenë Partia Demokratike e cila u përfshi nën akuza se për të shtuar radhët brenda Partisë e për favorizime specifike kandidatësh brenda saj, kishte anëtarësuar një numër mjaft të lartë emigrantësh shqiptarë.