Ekzekutimi i Akbar, Londra paralajmëron Iranin: Nuk do të mbetet pa përgjigje

Britania e cilësoi sot ekzekutimin nga Irani të britaniko - iranian Alireza Akbari si barbar dhe deklaroi se ky veprim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Më herët, agjencia e lajmeve Mizan e gjyqësorit raportoi se Akbari, një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes iraniane, i cili ishte dënuar me vdekje me akuzën e spiunimit për Britaninë, ishte ekzekutuar.

“Jam i tronditur nga ekzekutimi i shtetasit iranian britanik Alireza Akbari në Iran.

Ishte një akt i pashpirt dhe frikacak, i kryer nga një regjim barbar pa respekt për të drejtat e njeriut të popullit të tij," tha kryeministri Rishi Sunak në një postim në Twitter. 

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverley gjithashtu shkroi në Twitter: “Ky akt barbar meriton dënim me termat më të ashpër. Nuk do të mbetet pa përgjigje”.