Sulmi ndaj ndërtesave qeveritare në Brazil, nën hetim dhe ish-presidenti Bolsorano

Gjykata e Lartë e Brazilit ka dhënë lejen për të përfshirë ish-presidentin e krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, në hetimin për sulmin ndaj ndërtesave qeveritare në Brazilia.

Është hera e parë që ai përfshihet ndër të akuzuarit që mund të jenë përgjegjës për trazirat e 8 janarit. Hetimi vjen disa ditë pasi Bolsonaro postoi një video duke vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të tetorit.

Prokurorët thanë se ai mund të ketë nxitur krimin duke bërë pretendime të tilla. Në Video ish kreu I shtetit pretendonte se presidenti Luiz Inacio Lula da Silva nuk u votua në detyrë, por u zgjodh nga Gjykata e Lartë, si dhe autoriteti zgjedhor i Brazilit.

Videoja u postua pas trazirave të së dielës dhe u fshi më vonë, por zyra e prokurorit të përgjithshëm argumentoi se përmbajtja e saj ishte e mjaftueshme për të justifikuar hetimin paraprak ndaj Bolsonaros.

Mijëra mbështetës radikalë të Bolsonaros, të cilët vazhdojnë të pretendojnë se zgjedhjet ishin të manipuluara, sulmuan Gjykatën e Lartë të vendit, Kongresin dhe pallatin presidencial të dielën.

Ata kishin ndërtuar një kamp rreth kryeqytetit Brazilia për javë të tëra duke bërë thirrje për një grusht ushtarak shteti.

Tashmë Bolsonaro është shtruar në një spital në Florida me dhimbje barku, tha gruaja e tij, raportoi BBC.