Kosova në Këshillin e Evropës, Ministria e Jashtme: Procedurat nuk kanë përfunduar ende
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka bërë të ditur se procedurat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës nuk kanë përfunduar.
Gjatë së premtes, pati raportime se kërkesa është hedhur poshtë, por ministrja në deklaratën për mediat thekson se kemi të bëjmë me keqkuptim dhe se procedura është komplekse.
“Që prej 12 majit të vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit”, thotë Ministria.
Ndërsa në shtator është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë.
Para dorëzimit të aplikimit, qeveria e Kurtit shprehet se është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit.
“Është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën.
Në të dytën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standardet dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thotë MPJD duke shtuar se vendi është ende në fazën e parë.