Kurti për marrëveshjen Kosovë-Serbi: Duhet trysni shtesë mbi Beogradin
Kryeministri i Kosovës thotë se Prishtina do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por komuniteti ndërkombëtar sipas tij duhet kuptojë “që Beogradi nuk sillet normalisht". Plani franko-gjerman cilësohet një bazë e mirë e marrëveshjes, por Kurti thekson se është Serbia ajo që e refuzoi.
Plani i ashtuquajtur franko gjerman konsiderohet nga Kosova si bazë e mirë për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por Albin Kurti thotë se Beogradi zyrtar e ka refuzuar.
Në këto kushte Kryeministri i Kosovës thotë se duhet shtuar presioni ndërkombëtar mbi Serbinë.
“Unë jam optimist, por ajo çfarë duhet të ndodh për këtë marrëveshje është trysni shtesë mbi Beogradin, i cili duke bërë marrëveshje me Federatën Ruse për bashkërendim të politikës së jashtme e goditi në mënyrë të paskrupull politikën e jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian, që kërkon sinkronizim, harmonizim të të gjitha vendeve anëtare dhe të atyre të cilët aspirojnë që të bëhen anëtarë në Bashkimin Evropian. Natyrisht Kosova është e tillë”, tha Kurti.
Derek Chollet, këshilltar i lartë i Departamentit të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, pritet do të vizitojë Kosovën më 11 janar dhe më pas Serbinë.
Arsyeja kryesoe është mundësia e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve, përfshirë arritjen e një marrëveshje finale.
Albin Kurti, që e cilëson moment të rëndësishëm, thotë se Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
"Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen me një marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme, e cila e ka njohjen reciproke në qendër dhe për këtë insistojmë edhe ne edhe aleatët dhe partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
Njohja e ndërsjelltë është kushti i Kosovës për marrëveshjen finale.
"Ju e dini që njohjen reciproke e ka kërkuar edhe kancelari gjerman Olaf Scholz dhe këtë e ka bërë edhe në Beograd, por edhe e ka afirmuar në Prishtinë".
Propozimi i Bashkimit Evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, u është dhënë palëve në Kosovë e Serbi në fund të verës.
Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së.
