Rikthehet në lëvizje anija që u bllokua në Kanalin e Suezit

Anija e mallrave  MV Glory që transportonte mijra ton misër e cila u bllokua në kanalin e Suezit do të ritkhehet në funksion. Të dielën anija u përplas duke bllokuar dhe trafikun ujor.

Anija e mallrave që transportonte misër e cila u bllokua në rrugën ujore në Kanalin e Suezit, do të rikthehet në funksion duke rivendosur edhe trafikun ujor. Këtë të hënë Autoriteti i Kanalit të Suezit bëri me dije për rikthimin e saj teksa nuk jepen detaje se çfarë e shkaktoi përplasjen e anijes në tokë.

Të dielën, një pjesë e Egjiptit, përfshirë provincat veriore përjetuan një valë të motit të keq.

Firma e shërbimeve të kanalit ‘Leth Agencies’ tha se anija, ‘MV Glory’, u bllokua pranë qytetit të Qantara dhe se tre rimorkiatorë të kanalit po punonin për të rikthyer anijen.

 “MV Glory” nuk është anija e parë që u bllokua në këto ujëra të rëndësishme. Anija “Ever Given”, një anije kolosale me kontejnerë, u bllokua në kanalin e Suezit në mars të vitit 2021, duke bllokuar rrugën ujore për gjashtë ditë.

“Ever Given” u lirua në një operacion gjigant shpëtimi nga një flotë rimorkiatorësh.

Anija krijoi një bllokim masiv trafiku që mbante 9 miliardë dollarë në ditë në tregtinë globale dhe tensionoi zinxhirët e furnizimit që edhe ashtu ishin të ngarkuar nga pandemia e koronavirusit.

Qendra e Përbashkët Koordinuese e renditi anijen “Glory” si transportues të mbi 65,000 tonë misër nga Ukraina me destinacion Kinën.

I hapur në vitin 1869, Kanali i Suezit ofron një lidhje thelbësore për naftën dhe gazin natyror.