Izraelitet në protestë kundër qeverisë së re të kryeministrit Benjamin Netanyahu

Mijëra izraelitë kanë protestuar ndaj planeve të qeverisë së re të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të cilat thonë se kërcënojnë demokracinë.

Reagimet kanë ardhur pas deklarimeve për reforma të tjera përfshirë gjyqësorin apo edhe zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

"Demokracia në rrezik" dhe "Së bashku kundër fashizmit", shkruhej në disa prej pankartave të protestuesve.

Kritikët akuzuan qeverinë se i shpalli luftë sistemit ligjor, duke thënë se plani do të përmbysë sistemin e kontrolleve dhe ekuilibrave duke i dhënë pushtet absolut koalicionit të ri qeverisës.

"Ne kemi vërtet frikë se vendi ynë do të humbasë demokracinë dhe ne do të shkojmë drejt diktaturës vetëm për shkak të një personi që dëshiron të heqë qafe gjyqin e tij" tha një protestues nga Yavne, në jug të Tel Avivit.

Ai i referohej Netanyahut, i cili u padit me akuzën për korrupsion të lartë në vitin 2021, të cilat kryeministri i ka mohuar.

Netanyahu, 73 vjeç, ka mbajtur postin e kryeministrit më gjatë se kushdo në historinë izraelite, duke udhëhequr vendin nga 1996.

Protestuesit të shtunën gjithashtu bënë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë midis hebrenjve dhe banorëve palestinezë të vendit.