Dashuri në kohë luftë, ushtari i propozon për martesë ushtares në frontin e luftës në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka publikuar në profilin e saj zyrtar në Twitter një foto të një ushtari që i propozon të dashurës së tij, e cila gjithashtu është pjesëtare e ushtrisë.

Siç njofton kjo ministri, pjesëtarët e Brigadës 121 të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, Yevhen dhe Liza, janë fejuar në mes të pyllit ku kryejnë detyra për mbrojtjen e shtetit.

"Yevhen dhe Liza, anëtarë të Brigadës 121 të Mbrojtjes Territoriale. Edhe në luftën më të madhe të shekullit të 21-të, ka vend dhe kohë për dashurinë. Ukraina është dashuri", thuhet në postim.

Me këtë fejesë, çifti nga Ukraina tregoi se dashuria është e mundur edhe në kohët më të vështira, siç është lufta. Shumë dërguan komente mbështetjeje dhe dashurie dhe shpresojnë që lufta të përfundojë së shpejti.

Më 24 shkurt të vitit të kaluar Rusia nisi një ofensivë të plotë, të ashtuquajturën "Operacioni special ushtarak për çlirimin e Donbasit". Në vend të luftës në Donbas, lufta u përhap në të gjithë territorin e Ukrainës dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.