Zelensky: Armëpushimi rus është i rremë, do të ketë paqe vetëm kur pushtuesit të zmbrapsen
"Bota ishte edhe një herë në gjendje të shihte sot se si fjalë të rreme të çdo niveli po vinin nga Moska. Rusët kanë folur për një armëpushim të supozuar, por realiteti është se plumbat rusë goditën përsëri Bakhmutin dhe postat e tjera të Ukrainës. Vetëm dëbimi i pushtuesit nga toka ukrainase do të nënkuptojë rivendosjen e sigurisë dhe paqes”.
Kështu është shprehur presidenti ukrainas Voldymyr Zelensky.
Pas përfundimit të armëpushimit të shpallur nga Moska, rusët janë kthyer për të goditur Ukrainën me raketa.
"Rusët po sulmojnë rajonin e Kharkiv dhe një alarm për sulm ajror është shpallur në disa rajone," tha kryetari i administratës shtetërore rajonale të Kharkiv, Oleg Sinegubov.
Një alarm sulmi ajror u shpall në rajonet Kharkiv, Poltava, Dnepropetrovsk, Zaporizhzhia dhe Lugansk.
Raketat e artilerisë ukrainase goditën dhe dëmtuan termocentralin Starobeshevskaya në rajonin Donetsk të Donbasit të pushtuar nga Rusia.
Kështu ka shkruar agjencia ruse Tass, duke cituar burime lokale të Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjeckut.
Burimet thonë se të paktën dy persona, dy punëtorë në termocentralin, mund të kenë mbetur nën rrënojat e impiantit të prekur, ku po operojnë ekipet e shpëtimit.
