Bomba ruse në Kiev edhe në ndërrimin e viteve, Zelensky: Ukraina nuk do t'i falë rusët!

Edhe pse vit i ri, nuk ka shenja për përfundim të luftës në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehet se Ukraina nuk do t'i falë rusët ndërsa Josep Borrel thotë se BE do të jetë në anën e Kievit. 

Shpërthime të shumta kanë tronditur kryeqytetin ukrainas, Kiev, pak minuta pas mesnatës së Vitit të Ri. Sulmet në Kiev të dielën pasuan një breshëri prej të paktën 20 raketash lundrimi të lëshuara në objektiva anembanë Ukrainës në atë që zyrtarët atje e quajtën "Terror në natën e Vitit të Ri".

Sulmi i ri ndezi sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin dhe disa njerëz në Kiev dolën në ballkonet e tyre duke thirrur “Lavdi Ukrainës! Lavdi heronjve”. Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha në Telegram se shpërthimet e para të vitit të ri filluan afërsisht 30 minuta pas mesnate, duke goditur dy rrethe. Ai tha se deri më tani se nuk raportohet për viktima.

Administrata ushtarake e qytetit tha se 23 objekte ajrore të lëshuara nga Rusia ishin shkatërruar dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore po funksiononin. Më herët në mbrëmje, presidenti Volodymyr Zelensky tha se ukrainasit do të luftojnë derisa të fitojnë në luftën që tani është në muajin e saj të njëmbëdhjetë.

Presidenti Volodymyr Zelensky dënoi sulmet me raketat ruse në Ukrainë më 31 dhjetor, duke theksuar se as Ukraina dhe as bota nuk do ta falnin kurrë "terrorin rus" vdekjeprurës. Deklarata e Zelensky vjen disa orë pasi Rusia lëshoi mbi 20 raketa lundrimi në Ukrainë, nga të cilat ushtria e Ukrainës thotë se Forcat Ajrore rrëzuan 12.

“Një shtet terrorist nuk do të marrë falje, dhe ata që japin urdhra për sulme të tilla, që e kryejnë atë, nuk do të marrin falje, për ta thënë butë”, tha Zelensky në një video-mesazh.

Që nga ora 18:00 e datës 31 dhjetor, të paktën një person u vra dhe mbi 30 u plagosën gjatë sulmit të Vitit të Ri.

"Disa valë sulmesh me raketa në natën e Vitit të Ri, raketa kundër njerëzve - kjo nuk u bë nga njerëzit", shtoi Zelensky.

Në të njëjtën video, Zelensky foli shkurt në rusisht, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin po bën vetëm një luftë brutale për të mbetur në pushtet dhe “ai nuk kujdeset” për vendin e tij dhe njerëzit që jetojnë atje.

Fjalimi i rrallë i Zelenskyt për publikun rus pason fjalimin me video të ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës më 30 dhjetor, ku ai paralajmëroi rusët se udhëheqja e tyre po përgatit një valë të re mobilizimi dhe planifikon të mbyllë kufirin brenda një jave.