Tatimet e Donald Trump, CNN: Ish-presidenti raportoi humbje gjatë drejtimit të Shtëpisë së Bardhë

Ish-presidenti amerikan Donald Trump është vendosur në qendër të vëmendjes në SHBA pas publikimit të deklaratave tatimore të tij gjatë kohës që ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë. CNN raportoi se dosjet tregojnë reduktimin e të ardhurave gjatë viteve të presidencës dhe ekzistencën e një llogarie bankare në kinë. Nga ana tjetër vetë Trump tha se publikimi i dokumenteve nuk duhej të ndodhte. Republikanët e cilësuan aktin si cënim të privatësisë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi të premten taksat e gjashtë viteve të fundit të ish-presidentit Donald Trump. Ndarja e këtyre dosjeve me publikun, është rezultat i një përpjekjeje shumë vjeçare të ligjvënësve demokratë për të mësuar më shumë rreth financave të manjatit të pasurive të patundshme.

Trump, sipas “Zërit të Amerikës”, shkeli traditën politike dhjetëra vjeçare, duke mos publikuar në mënyrë vullnetare informacionet lidhur me të ardhurat e tij në kohën kur ishte kandidat për president. Dokumentet e taksave të bëra publike janë ato viteve 2015-2020, dhe konkretisht bëhet fjalë për 2700 faqe të deklarimeve tatimore të zotit Trump dhe bashkëshortes së tij Melania Trump dhe më shumë se 3000 faqe të tjera të deklarimeve tatimore të bizneseve të tij.

Tatimet e Donald Trump, CNN: Ish-presidenti raportoi humbje gjatë drejtimit
Deklaratat tatimore të Donald Trump

“CNN” raportoi  se në vitet 2015 dhe 2020, Donald Trump kishte një llogari bankare në Kinë, por edhe vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.

I njëjti burim vë në dukje me sy kritik se zbulimi i marrëveshjeve të biznesit në Kinë në vitin 2020, ndodhi pasi Trump dhe stafi i tij u përpoq të portretizonte rivalin demokrat, Joe Biden, si një "kukull" të Kinës.

Dosjet e publikuara tregojnë gjithashtu se Trump pagoi më shumë taksa të huaja sesa taksa federale për të ardhurat në SHBA-së gjatë vitit 2017.

Sipas “CNN”, dosjet e ndara tashmë me publikun, konfirmojnë një raport të lëshuar nga Komiteti i Përbashkët për Tatimet se Trump pretendoi humbje të mëdha para dhe gjatë presidencës së tij.

Konkretisht, ai barti një humbje prej 105 milionë dollarësh në 2015 dhe 73 milionë dollarë në 2016.

Publikimi i dokumenteve është kritikuar nga ish-presidenti. Trump ka thënë se: “Gjykata e Lartë nuk duhet ta kishte miratuar kurrë këtë veprim”.

Sipas ish-presidentit, “deklaratat tatimore të Trump tregojnë edhe një herë se sa krenarisht ka qenë i suksesshëm dhe se si ka qenë në gjendje të përdorë zhvlerësimin dhe zbritjet e tjera të taksave si një nxitje për krijimin e mijëra vendeve të punës dhe strukturave dhe ndërmarrjeve madhështore.”

Republikanët kritikuan, gjithashtu, përpjekjet e demokratëve për publikimin e deklaratave tatimore të ish kreut të shtëpisë së bardhë. Ata i cilësuan dokumentet si një “një armë të re të rrezikshme politike që përmbys dekada të tëra të mbrojtjes së privatësisë që nga reforma e “Uatergate.”