Vuçiç: Kurti, nazist e komunist
Presidenti serb Aleksader Vuçiç i ka përforcuar akuzat ndaj kryeministrit Albin Kurti këtë të premte, ndërsa nga veriu i Kosovës po hiqeshin barrikadat. Ndërsa më herët e kish etiketuar Kurtin si terrorist , tani Vuçiç e quajti atë si ndjekës të linjës komuniste dhe naziste.
“Kjo është ideologjia e tyre dhe e Xhafer Devës, një njeriu nga Mitrovica, i cili ishte i pari që iu bashkua forcave pushtuese naziste. Kurti ëndërron të jetë Enver Hoxha, prandaj nuk e duron dot Edi Ramën. Vetëm nëse mund të jetë një përzierje e Enver Hoxhës dhe nëse mundet pak Zelensky. Prandaj marrëzitë që thote kurti se 'Vuçiç është Putini i vogël” janë vetëm gënjeshtra dhe ëndërra boshe"
Vuçiç I bëri këto komente për gazerët ndërsa priti serbin, Nikolla Nedeljkovic, i cili u lirua pas gjashtë muajsh burg në Prishtinë, për nxitje të urrejtës etnike.
Presidenti serb bëri gjithashtu me dije se në janar Beogradi do të presë përfaqësueses ndërkombëtarë, prej të cilave kërkoi garanci që t’iu përmbahen premtimeve për heqjen e barrikadave. E për këto te fundit është shprehur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai sqaroi se gjithçka u realizua pas takimeve me partnerë të Amerikës, ambasadorë e Quintit, KFOR-in e EULEX-in dhe e jo përmes një marrëveshje të fshehtë me Vuçiç.
Gjithashtu ai mohoi t’iu ketë premtuar ndërkombëtarëve si këmbim, realizimin e Asocicacionit te komunave me shumice serbe.
“Nuk ka një garanci të tillë nga Qeveria e Kosovës. Është e qartë për ne që ZSO është bërë Komuniteti i Barrikadave. Pra, ata që krijuan shoqatën e barrikadave po kërkojnë një shoqatë komunash. Me fjalë të tjera, ata i pëlqejnë komunat si barrikada dhe duan të punojnë së bashku. Ashtu siç ndërtuan 16 barrikada së bashku, duan të ndërtojnë dhjetë komuna së bashku në Komunitet.”
