Hapen për qarkullim edhe pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak
Barrikadat serbe u hoqën dhe në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur për qarkullim këtë të premte.
Automjetet e para, përfshirë mjete të transportit janë parë duke kaluar nga territori i Kosovës në atë të Serbisë si dhe anasjelltas. Policia e Kosovës bëri të ditur lajmin duke thënë se , bllokimi i paligjshëm i rrugëve përkeqësoi situatën në veri .
“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, medieve dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.”
Raportohet se pritja për të hyrë dhe për të dalë përmes këtyre pikave, është 3 deri në 5 minuta, e po ashtu dhe në të tjerat nuk radhë.
Zyrtarët policorë në veri të vendit thanë se edhe në këto dy pikëkalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Jarinja dhe Bërnjaku kanë qenë të mbyllura nga data 10 dhjetor si pasojë e bllokimit të rrugëve nga makineritë e rënda që janë vendosur nga qytetarët serbë në veri.
Një ditë me parë u lirua qarkullimi në Merdarë pas bllokimit disaditor si shkak i vendosjes së barrikadave në Serbi rreth 2 kilometra nga kjo pikë kufitare.
Bllokimi i rrugëve ndodhi pasi institucionet e Kosovës arrestuan ish-policin, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor në fillim të muajit dhjetor në Mitrovicë të Veriut si dhe në Zubin Potok.
Ndërkohë pas lirimit të tij me vendim gjykate mesditën e 29 dhjetorit presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi largimin e barrikdave nga rrugët.
