Barrikadat në veri të Kosovës, Jarinja dhe Bërnjaku ende të mbyllura

Edhe pse më 29 dhjetor nisi heqja e barrikadave në veri të Kosovës, Jarinja dhe Bërnjaku vijojnë ende të mbyllura që prej datës 10 dhjetor. Situata në pikat e tjera kufitare tashmë të hapura vijojnë hyrje daljet, normalisht.

Një ditë pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, dy pika kufitare vazhdojnë të jenë të mbyllura. Sipas qendrës kombëtare për menaxhimin kufitar Jarinja dhe Bërnjaku, vijojnë të mbyllura teksa në pikat e tjera kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës e as në dalje.

Rrugët kryesore që të çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut. pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Pasditen e së enjtes nisi largimi i barrikadave të vendosura në veri të Kosovës .

Barrikadat u larguan në fshatin Rudarë, në komunën e Zveçanit, në Mitrovicën e veriut, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.

Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar "bandat kriminale" që kanë mbështetjen e Serbisë.