Rusia sulmon me dronë, Ukraina thotë se 15 ishin vetëshkatërrues dhe një zbulimi
Ushtria ruse ka ashpërsuar sulmet në Ukrainë duke hedhur 16 dronë vetëm gjatë 24 orëve të fundit. 15 prej tyre ishin vetëshkatërrues ndërsa njëri bënte pjesë në kategorinë e zbuluesve. Autoritetet në Kiev thanë se shumica e dronëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore pa goditur objektivat ndërkohë synimi i ushtrisë ruse ka qenë dëmtimi i mëtejshëm i infrastrukturës së energjisë.
Rusia ka sulmuar ukrainën me 16 dronë "kamikazë", një ditë pasi Moska lëshoi dhjetëra raketa me objektiv infrastrukturën e Ukrainës.
Forcat Ajrore të Kievit thanë se të gjithë dronët, për të cilët tha se ishin dërguar nga juglindja dhe veriu, ishin shkatërruar nga mbrojtja ajrore.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha në kanalin e tij Telegram se shtatë dronë ishin drejtuar në kryeqytet dhe se pesë u shkatërruan brenda qytetit ndërsa dy të tjerë u goditën para se të arrinin në Kiev.
Një ndërtesë administrative në qytet u shkatërrua pjesërisht, sipas kreut i administratës ushtarake të Kievit, i cili tha se nuk kishte informacion për viktima. Zyra e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski ka publikuar pamjete dëmtimeve të shkaktuara nga rënia e dronit në ndërtesën administrative katërkatëshe në lagjen Goloseevsky të Kievit.
Ky sulm, sipas autoriteteve ka dëmtuar edhe një objekt banimi nëntëkatësh – ku janë thyer xhamat nga kati i 1 deri në të 5-të por fatmirësisht nuk ka pasur viktima.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se gjatë ditës së kaluar, Rusia lëshoi edhe 85 raketa dhe kreu 35 sulme ajrore, si bëri 63 granatime në territorin e betejës.
Ushtria e ukrainës, ka bërë me dije se nga dronët e lëshuar prej ushtrisë ruse në 24 orët e fundit, 15 kanë qenë vetëshkatërrues prodhim iranian, ndërsa një prej këtyre mjeteve ishte i kategorisë zbuluese dhe besohet se po përdorej nga ushtria ruse për fotografimin e situatës në front.
Nga mesi i tetorit Rusia ka nisur valë të shumta sulmesh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës çka ka sjellë ndërprerje masive të energjisë në qytetet kryesore të vendit.
