Turqia dënon pjesëmarrjen e politikanëve francezë në protestat kurde
Turqia dënoi sot pjesëmarrjen e politikanëve francezë në një demonstratë në Paris kundër vrasjes së tre kurdëve, në një tubim ku protestuesit shpalosën flamujt e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK).
Përleshjet shpërthyen javën e kaluar midis policisë dhe protestuesve kurdë të zemëruar për vrasjen e tre anëtarëve të komunitetit të tyre në një sulm me armë të premten.
Disa protestues mbanin flamuj të PKK-së, të cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, BE dhe SHBA, si dhe postera të liderit të tyre të burgosur, Abdullah Ocalan.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, protestoi kundër tubimit në një bisedë që pati me homologen e tij franceze, Catherine Colonna, njoftoi Ministria e Jashtme turke.
“Ministri Cavusoglu theksoi se është e papranueshme që politikanët francezë të marrin pjesë në ngjarje (demonstrata) ku valëviten flamujt e organizatës terroriste PKK. Ai theksoi se Franca nuk duhet të lejojë aktivitete të tilla”, tha ministria.
Turqia njoftoi të hënën se kishte thirrur ambasadorin e Francës për të denoncuar "përfshirjen e zyrtarëve dhe politikanëve të qeverisë franceze në propagandën antiturke".
Qeveria franceze i ka kërkuar policisë që të rrisë mbrojtjen e vendeve të komunitetit kurd pas vrasjeve, tha të premten Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin.
Presidenti, Emmanuel Macron, tha se kurdët ishin objektivi i një sulmi "të neveritshëm".

