Këshillat e të mençurve mbi qelq, drejtuesit e muzeve botërore vlerësuan projektin e Arkivës Shqiptare

Në simpoziumin e muzeve të mbajtur në Stamboll, ku merrnin pjesë drejtuesit më në zë të muzeologjisë nga SHBA-ja e Japonia, Arkivat Shqiptare kanë marrë për herë të parë ftesën për të aderuar në Këshillin Ndërkombëtar të Muzeve ku dhe u vlerësuan me notë maksimale.

Projekti i Muzeut Arkivor të Shqipërisë i prezantuar në simpoziumin e muzeve në Stamboll u vlerësua nga drejtuesit e muzeologjisë nga SHBA-ja e deri në Japoni.

Kjo ishte hera e parë që Arkivat Shqiptare merrnin pjesë në Këshillin Kombëtar të Muzeve.

Drejtori i Arkivës Shqiptare, Ardit Bido, flet per krijimin e një kompleksi të mirëfilltë kulturor.

“Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabulë nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme përgjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni.”

Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, historia dhe trashëgimia dokumentare e kombit u përcollën teknikat interaktive, duke përçuar informacion përmes zbavitjes.

“Kjo është një prej dy kulminimeve. Ideja që qëndron pas tij është se ti vjen në Arkiv, në Muze, ke paguar për këtë, por nuk mjafton kaq për të parë gjërat më të rëndësishme të tij. I pari ishte Kodiku i Beratit dhe e dyta është Deklarata e Pavarësisë, të cilën ne nuk e kemi, por ‘Arkivat kanë çdo gjë’.

Ndaj, e vendosëm meqenëse historia e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë është interesante. Ajo është humbur në vitin 1949-n dhe shumica e njerëzve nuk e dinë se si ishte në të vërtetë deklarata sepse pandehin për origjinale një riprodhim të 1937-s, krejt të ndryshëm.”

Pjesë e projektit ishte edhe krijimi i një hapësire studimi në natyrë dhe kinemaja e hapur prej 150 vendesh, në oborrin rrethues të godinës së Arkivës.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.