Stuhia e acarit, 38 persona humbën jetën në SHBA e Kanada.Mbi 12.000 shtëpi pa energji elektrike

Autoritetet në SHBA dhe Kanada, kanë raportuar vdekjen e 38 personave si pasojë e stuhisë së dëborës, javën e fundit. Moti i keq ka përfshirë zona të tëra veriu në Kanada, e deri në Rio Grande në jug. Mijëra shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa edhe vetë mjetet e forcave të emergjencës mbetën të bllokuara në bore, në shumë zona ku shkuan për të ndihmuar banorët.

Stuhia dimërore që goditi Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara javën e fundit, ka shkaktuar të paktën 38 të vdekur. 34 prej tyre humbën jetën në qytetin më të goditur nga stuhia në Buffalo, dhe 4 të tjerë si pasojë e përmbysjes së një autobusi në rrugët e ngrira të qytetit Merritt.

Nju Jorku perëndimor është zhytur nën bore, duke bllokuar tërësisht automjetet e duke lënë pa energji elektrike mijëra familje gjatë Krishtlindjes.

12,000 shtëpi dhe biznese në Erie County mbetën pa energji të dielën në mbrëmje, dhe shumica e tyre nuk do të kenë drita dhe ngrohje deri të martën.

Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul, tha për CNN se kjo është stuhia më shkatërruese në historinë e Buffalos, qytetit të dytë më të madh në shtetin Amerikan. Reshjet e dendura të dëborës dhe stuhitë, i kanë bënë rrugët të pakalueshme, kanë ngrinë nënstacionet e energjisë elektrike dhe kanë lënë të paktën 17 persona të vdekur, që nga mbrëmja e së dielës.

Forcat e shpëtimit dhe qindra shoferë u nisën për Krishtlindje, së bashku me automjetet e urgjencës për të ndihmuar të bllokuarit në dëborë, por edhe ata patën të njëjtin fat. Njëmbëdhjetë ambulanca u raportuan të bllokuara nën trashësinë e borës.

“Ekipi i shpëtimit po shpëtonte shpëtimtarët.  Ishte kaq e tmerrshme," tha ekzekutivi i Erie County Mark Poloncarz, gjatë një konference shtypi të dielën. Shumë nga vdekjet e lidhura me motin në Nju Jork ishin në Erie County, ku disa njerëz u gjetën të vdekur në makina dhe rrugë.

Më pak se 200,000 klientë ishin pa energji elektrike që nga e diela pasdite EDT, nga një kulm prej 1.7 milion, raporton Associated Press.

Mijëra fluturime janë anuluar, duke penguar shumë njerëz të arrijnë familjet e tyre në Krishtlindje.
Më shumë se 55 milionë amerikanë mbetën nën alarmin e të ftohtit të erës të dielën.

Stuhia dimërore e “ciklonit të bombës” – e cila ndodh kur presioni atmosferik bie, duke shkaktuar borë të dendur dhe erëra – ka ndërprerë udhëtimet nëpër SHBA.

Qindra trupa të Gardës Kombëtare janë vendosur në dispozicion për të ndihmuar ekipet e shpëtimit. Policia e shtetit është përfshirë në mbi 500 shpëtime deri të dielën, duke përfshirë lindjen e një fëmije dhe ndihmën ndaj një personi me 4% mundësi të mbetur në zemrën e tij.

Shteti perëndimor amerikan i Montanës, është më i godituri nga i ftohti, me temperatura që shkojnë deri në -45 gradë Celcius.