Jurgen Klopp i lumtur që “hoqi qafe” Kupën e Botës

Jurgen Klopp është në “qiellin e shtatë” për mbylljen e Kupës së Botës dhe rikthimin e Premier League. Trajneri gjerman i Liverpoolit, një prej kritikëve më të mëdhenj të faktit që botërori u zhvillua në këtë periudhë të vitit, flet me tone optimiste për të ardhmen dhe lojtarët e tij duke lënë pas kritikat.

“Jemi vërtet shumë entuziastë për rikthimin e Premier League. Të gjithë lojtarët janë kthyer nga Kupa e Botës dhe kjo është shumë e rëndësishme. E dimë shumë mirë se duhet të rikuperojmë një diferencë shumë të madhe që kemi në klasifikim me skuadrat e kreut. Mezi po presim të zbresim në fushë dhe të shikojmë se çfarë do të ndodhë edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Të gjithë jemi shumë në ankth për të nisur sa më parë, ndërsa Manchester City ka ambicje të mëdha edhe për këtë sezon”. 

Kjo është konferenca e shtypit të trajnerit gjerman në prag të ndeshjes së “Boxing day” kundër Aston Villas së Unai Emery.