Skandali bardhezi/ 14 mijë faqe dokumente që “kryqëzojnë” Juventusin

Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit ka zbuluar prova të reja që lidhen me çështjen e falsifikimit të dokumentave nga ana e Juventusit për plusvalencat. Bashkë me bardhezinjtë, në hetim janë edhe 10 klube të tjera italiane ndërsa tashmë topi kalon në këmbët e gjykatës nëse duhet të pranojë hapjen e një procesi që rrezikon edhe qëndrimin e klubit torinez në Serie A nëse akuzat do të konfirmohen si të vërteta.  

Në 14 mijë faqet e marra nga hetuesit, mendohet se ka shumë prova që konfirmojnë dyshimet për modifikim të bilanceve që kanë çuar edhe në deformimin e situatës reale financiare të klubit bardhezi.

“Plusvalencat artificiale” janë zbuluar në dokumentat e firmosur nga Fabio Paratici fillimisht dhe më pas nga Cherubini, të cilët kanë përdorur metoda për të marrë avantazhe të rreme në letër, duke falsifikuar kostot e transferimeve të lojtarëve në rastin e këmbimeve.