Fëmijët më të rrezikuar nga virusi RSV, ISHP: Ende asnjë rast të konfirmuar me këtë virus, piku i gripit në fund të janarit

Virusi respirator RSV shfaq klinika më të rënda deri te fëmijët 1 vjeç por Instituti i Shëndetit Publik sqaron se në Shqipëri ende nuk është konfirmuar asnjë rast i tillë.

Epidemiologu, Artan Simaku, thotë se aktualisht po qarkullojnë edhe Covid edhe grip i tipit A.

"Ky virus prek foshnjet disa muajshe deri në 1 vjeç, të cilat kanë një klinikë pak më të rëndë sesa gripi. Është shumë i ngjashëm me gripin, por shenjat klinike janë pak më të theksuara sesa gripi. Momentalisht në Shqipëri nuk është evidentuar qarkullimi sepse mbizotëron gripi, kryesisht në moshën pediatrike dhe në fëmijët e vegjël disa muajsh."

Duke nisur nga vitet e tjera, kulmi i përhapjes së gripit pritet të jetë në fund të muajit janar.

"Vërehet një shtim i qarkullimit të gripit dhe jemi pothuajse në nivelet e parapandemisë dhe ky trend i numrit të rasteve parashikohet në rritje në muajt në vijim. Nga eksperiencat e kaluara piku i qarkullimit të gripit arrihet në fund të muajit janar dhe në fillimi të muajit shkurt."

Megjithëse me raste të pakta, Covidi vijon të qarkullojë dhe eskpertët thonë se duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.