"Alarmi i vetëvrasjeve", 4 raste në pak javë në Fier, mjekët: Depresioni nga vetmia një shkak kryesor

4 vetëvrasje duke përdorur fotoksinë janë shënuar në Fier vetëm në pak javë. Mjekët thonë se kjo është një situatë alarmante, ndërsa një tjetër shqetësim që duhet adresuar me urgjencë sipas specialistëve është edhe përdorimi i alkoolit dhe drogërave bimore.

Numri i vetëvrasjeve me fotoksinë është rritur në mënyrë shqetësuese në Fier.

Vetëm në muajin e fundit, sipas mjekëve janë 4 raste që kanë humbur jetën duke u vetëhelmuar.

"Fatkeqësisht kemi pasur shumë raste me helmin vetëhelmues fostoksinë. Nga fundi i nëntorit deri tani kemi patur 4 raste," tha mjeku Lulëzim Banushaj.

Shkaku paraprak mendohet të jetë depresioni që vjen nga vetmia.

"4-5 raste kanë qenë raste që kanë qenë të vetëm në shtëpi duke krijuar gjendje depresioni. Si duket fëmijët i kanë pasur në emigracion," tha ai.

Për mjekun toksikolog Lulëzim Banushaj, situata është alarmante edhe në përdorimin nga të rinjtë të alkoolit dhe drogërave.

"Një problem tepër shqetësues është problemi i përdorimit të alkoolit dhe të drograve bimore. Alkooli ka disa faza. Faza e agresivitetit është shumë e rrezikshme pasi gjatë kësaj faze mund të bëhen dëmtues për veten e tyre dhe të tjerët që e rrethojnë," tha mjeku.

Specialistët thonë se rastet tek të rinjtë që preken nga depresioni dhe problemet e tjera të shëndetit mendor, duhet të trajtohen në mënyrë të menjëhershme me qëllim që të shmangen pasojat fatale.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.