Ilaçet e pacertifikuara kushtojnë dhe nuk kanë efekt, Agjencia e Ministria heshtin

As Agjencia e Barnave dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk japin reagime për tregtimin e medikamenteve të pacertifikuara në Shqipëri. Opozita ka vijuar me akuzat për pasigurinë e ilaçeve edhe në Kuvend, por sërisht nga mazhoranca nuk jepet as reagim dhe nuk pranohen as ndryshimet në ligj.

Akuzave të PD se barnat e rimbursuara janë të pacertifikuara nga BE, nuk u janë përgjigjur institucioneve shtetërore. 

Agjencia e Barnave e pyetur nga televizioni ka deklaruar se kjo çështje nuk është në tagrin e tyre për të reaguar, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë drejtoi gishtin po te ky institucion për të marrë përgjigje.

Ky shqetësim u ngrit këtë të martë edhe në Komisionin Parlamentar për çështjet sociale.

Tritan Shehu theksoi se në Shqipëri shiten medikamente të pacertifikura nga Agjencia Medicinale e Evropës.

Ndërkohë në vendet e tjera të rajonit si Bullgaria apo Kosova, ky fenomen nuk ekziston.

Shehu: Në Shqipëri nevojitet siguria medikamentoze. Nuk rimbursojmë as 50% të medikamenteve në treg. Kjo shkel një nga parimet e BE, qytetari që nuk ka para nuk mund të shkojë të marrë medikamente. Medikamntet e rimbursuara në përqindjen më të lartë të tyre janë ose prodhime që merren nga origjinë e pasigurt ose prodhime nga industria jonë farmaceutike që është e origjinës së pasigurt. BE nuk qarkullon asnjë medikament të pacertifikuar nga EMA.

Edhe në Kuvend, përfaqësuesit e qeverisë zgjodhën të mos i përgjigjen akuzave të demokratit Shehu, por hodhën në votë amendamentet e propozuara nga opozita, të cilat u rrëzuan.

Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, mbështeti akuzat e Shehut.

Madje ai shtoi se veç pasigurisë është edhe kosto 3 herë më shtrenjtë se në Evropë.

Vasili: Është shumë e qartë që do të ketë një votim formal të variantit të qeverisë, i cili tashmë dihet dhe për të cilin kishte rezerva shumë të mëdha që u thanë.

Më herët edhe në raportet zyrtare është deklaruar se për shkak të problemeve me laboratorët nuk janë bërë kontrollet e duhura.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.