Biden-Zelensky në bisedë telefonike, SHBA: Nuk e ndalim ndihmën
Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky deklaron se ndihma e paprecedentë e mbrojtjes dhe financiare nga SHBA-ja ndihmoi "jo vetëm për të pasur sukses në fushën e betejës", por gjithashtu për të ruajtur stabilitetin e ekonomisë së Ukrainës. Deklaratën e tij Zelenski e bëri gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me homologun amerikan Joe Biden.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka komunikuar së fundmi me liderët e Shteteve të Bashkuara, Turqisë dhe Francës.
Bisedimet shihen si një hap drejt forcimit të mëtejshme të marrëdhënieve diplomatike me këto shtete në mes të luftimeve të zgjatura në frontin lindor të një lufte prej 9 muajsh që ende nuk po i shihet fundi.
Në video-fjalimin e tij të mbrëmjes së të dielës Zelenski tha se pret disa “rezultate të rëndësishme” në javën e ardhshme nga një seri ngjarjesh ndërkombëtare që do të fokusohen në situatën në Ukrainë.
Gjatë bisedës telefonike me Biden, Zelensky falënderoi presidentin amerikan për ndihmën shtesë prej 275 milionë dollarësh për sigurinë, si dhe për mbështetjen më të gjerë dhe "të pashembullt" të SHBA-së për sovranitetin e Ukrainës përballë agresionit rus, sipas një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Presidencës së Ukrainës.
Lidhur me këtë bisedë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden ripohoi angazhimin e SHBA-së për të vazhduar t'i ofrojë Ukrainës ndihmë të sigurisë, ekonomike dhe humanitare, duke e mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe mizoritë e saj dhe duke i vendosur kosto Rusisë për agresionin e saj.
Lideri ukrainas i tha presidentit amerikan se terrori raketor rus ka çuar në shkatërrimin e rreth 50% të infrastrukturës energjetike të Ukrainës , ndërsa falënderoi SHBA-në për dhënien e ndihmës posaçërisht për rindërtimin e sistemeve energjetike të Ukrainës.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe liderët e G7 do të mblidhen këtë të hënë në përpjekje për të rënë dakord për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë dhe Iranit po ashtu parashikohet dhe rëna dakord për një shtesë prej deri në 2 miliardë eurosh për dërgesat e armëve në Ukrainë.