BE: Të formohet asociacioni, Kurti kundër
Pas Shteteve të Bashkuara, formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, e ka kërkuar së fundmi edhe Gjermania. Ambasadori Gjerman në Kosovë, thotë se Kurti duhet të veprojë si pushtet dhe jo si aktivist, ndërsa kryeministri, tha se asociacioni do të ishte vetëm një Republikë Serbe si në Bosnjë.
Ndërsa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, janë qetësuar pas tensioneve disa mujore për targat, perëndimi po shton presionin për zbatimin e marrëveshjeve të firmosura në Bruksel, nga dy shtetet.
Së fundmi, Gjermania i ka bërë thirrje Prishtinës zyrtare, që të formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Për diplomatin e Berlinit, asociacioni nuk është antikushtetues.
“Ne presim që të implementohen të gjitha marrëveshjet e Brukselit, përfshirë asociacionin. Ai është ratifikuar në 2015 nga parlamenti i Kosovës. Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë që asociacioni të mos formohet, por vetëm duhet të shtoni disa pika që të jenë në harmoni me Kushtetutën,” tha ai.
Ambasadori kujton kohën kur u firmos asociacioni, për të cilën thotë se Vetëvendosja ka qenë kundër, por tani ajo nuk është më, një lëvizje.
“Vetëvendosja ka qenë kundër asociacionit, por ajo nuk është më një lëvizje, apo thjesht një parti, tashmë është në qeveri. Duhet të implementojnë çështjet e rëna dakord nga Kuvendi i Kosovës,” tha ai.
Kryeministri Kurti u intervistua nga N1 Bosnja i Hercegovina, ku u pyet edhe për çështjen e asociacionit.
Zoti Kurti e krahasoi asociacionin me Republika Srpskan në Bosnje.
“Duhet të kemi njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes. Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë ata janë kundër marrëveshjes. Kosova nuk do të lejojë një Republik Srpska të dytë, brenda vendit. Ne kemi përvoja të hidhura nga Bosnje Hercegovina,” tha ai.
Kohët e fundit edhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Prishtinës zyrtare, të cilës i kërkojnë të formojë asociacionin e cila do të bënte bashkë komunat serbe, në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok, Graçanicë, Novobërda, Ranillug, Partesh dhe Kllokot Vërboc.