‘Zgjohet’ ushtria ruse, Kievi: Po sulmon në lindje dhe ka forcuar pozicionet në jug

Trupat e Moskës duket se i kanë dhënë fund tërheqjes që ata e quajtën taktike muajin e kaluar. Ukraina thotë se forcat ruse janë rikthyer në front dhe po kryejnë përparime në lindje dhe në jug.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë se forcat ruse janë duke vazhduar luftimet në lindje të Ukrainës, në rajonin Donjeck ndërsa në ju kanë forcuar pozicionet e tyre dhe kanë bombarduar Khersonin e çliruar.

Forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e Kersonit muajin e kaluar.

Në pjesën më të madhe të Ukrainës, punëtorët teknikë janë duke punuar për të rikthyer furnizimet me energji, pas dëmeve të mëdha në rrjet që kanë shkaktuar bombardimet ruse.

Për pasojë, miliona njerëz kanë mbetur pa rrymë, teksa temperaturat sa shkojnë e ulen.

Sipas ushtrisë ukrainase, Donjecku mbetet zona ku po zhvillohen luftimet më të ashpra.

Sipas saj, trupat ushtarake ruse janë duke krijuar linja të mbrojtjes në drejtim të qytezës së Limanit, dhe se ato janë duke u përforcuar me personel, municion dhe naftë.

Presidenti ukrainas, Zelenski ka thënë se Ukraina është duke marrë hapa shtesë për të luftuar veprimet e ushtrisë ruse, por pa dhënë më shumë hollësi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë zotuar për më shumë ndihmë financiare dhe dërgim të pajisjeve ushtarake në Ukrainë, për të rritur kapacitetet e Kievit për luftë.