BE kushte Elon Musk: Nëse s’plotësohen të mbyllim Twitter në eurozonë
Pasi i shpëtoi Apple, Elon Mask duket se do të përballet me Bashkimin Evropian. Brukseli kërcënon biznesmenin me ndalimin e platformës Twiter, nëse nuk i përmbahet rregullave të BE-së. Së fundmi miliarderi ka hequr masën e pezullimit ndaj disa llogarive, në emër të lirisë së fjalës, të cilën e ka moto.
Ndërsa Elon Musk, u zotua të drejtojë Twitter në mënyrë sa më transparente, komisioneri i tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton kërkoi censurë më të ashpër duke paralajmëruar, se platforma do të ndalohej nëse nuk i përshtatet ligjeve të bllokut.
"Platforma duhet të përforcojë ndjeshëm përmbajtjen e moderuar dhe të luftojë dezinformimin,” tha ai.
Media Financial Times, tha se në fakt Breton e kishte kërcënuar biznesmenin, gjatë një bisede që kishte pasur me të.
Sipas medies ndërkombëtare, komisioneri i BE-së i kishte thënë Musk, se nëse Twitter nuk përmbush një listë kërkesash, që përfshinte mospasjen e një qasjeje arbitrare, për rivendosjen e përdoruesve të ndaluar, ndjekjen agresive të dezinformimit deri në vitin e ardhshëm platforma do të përballej me gjoba të larta, dhe ndoshta edhe me mbyllje në eurozonë.
Musk shkroi të mërkurën se Twitter, dështoi të ishte i besueshëm dhe i sigurt.
Ai pretendoi se platforma kishte ndërhyrë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, për një kohë të gjatë.
Musk bleu Twitter për 44 miliardë dollarë, të raportuar dhe mori pronësinë e kompanisë më 27 tetor, duke deklaruar se zogu është liruar, duke iu referuar logos së platformës.
Brenda pak orësh, Breton u përgjigj se ‘në Evropë, zogu do të fluturojë sipas rregullave të BE-së.