Partia e Lirisë në shesh më 6 dhjetor. Meta: Shqipëria gjendet nën kërcënimin e mafias në pushtet

Partia e Lirisë pavarësisht ndarjes për ditën e Çlirimit të vendit, do të jetë e bashkuar me Partinë Demokratike në protestën e 6 dhjetorit. Nga varrezat e Dëshmorëve, kreu I PL-së Ilir Meta theu heshtjen dhe konfirmoi se do të jetë në shesh në atë që ai e cilësoi një manifestim pro europian, por kundër qeverisë Rama. Dhe nga bulevardi dëshmorët e kombit do të ketë dhe një mesazh  të rëndësishëm lidhur me hetimin e Taulant Ballës.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta konfirmoi për herë të parë vendimin për t’iu bashkuar protestës së 6 dhjetorit 2022 të thirrur nga Partia Demokratike pikërisht në ditën kur në Tiranë do të zbarkojnë liderët e Bashkimit Europian në kuadër të samitit të nivelit të lartë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Ilir Meta: “Pa diskutim më 6 dhjetor do të jemi të gjithë për ta brohoritur “ta bëjmë Shqipërinë si të gjithë Europa, një vend i lirë ku të jepet fund njëherë e përgjithmonë kapjes së shtetit dhe instalimit të mafias në pushtet. Siguria në Shqipëri është gjithmonë nën kërcënimin e mafias në pushtet dhe jo qytetarëve të lirë të saj.

Nuk është njoftuar protestë ndaj kryetarit të bashkisë, pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj, por është njoftuar manifestim pro europian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë një mesazh mirënjohjeje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitike të BE-së për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera të ecin në rrugën e integrimit europian dhe procesit të Berlinit që lehtëson këtë rrugë. Në Shqipëri nuk ka dhe nuk duhet të ketë asgjë mbi Kushtetutën.”

Ndërsa për heshtjen e pjesëmarrjes në protestë Ilir Meta i ka quajtur të pavëmendshëm.

Ilir Meta: Ju mund të keni qenë e pavëmendshme pasi kemi bërë të qartë që dhjetori është muaji I demokracisë.  

I pyetur në lidhje me hetimin e Taulant Ballës, kreu i Partisë së Lirisë përgjigjet shkurt.

Ilir Meta: “ Jemi për të dhënë mesazhet më të rëndësishme. Dhjetori është muaji i demokracisë dhe Europës. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë asgjë mbi Kushtetutën dhe mbi Kushtetutën është vetëm populli europian i Shqipërisë.

Deklaratat e tij kreu i PL-së Ilir Meta i bëri sot paradite, pas homazheve tek “Varrezat e Dëshmorëve”, ku përkujtoi të rënët në Luftën Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare.