Kancelari gjerman: Putini nuk mund të fitojë më në fushën e betejës

Rusia po i jep Ukrainës një betejë të humbur, ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz, duke theksuar se tashmë është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin "nuk mund të fitojë në fushën e betejës".

"Prandaj, apeli im për Vladimir Putin mbetet: Ndaloni vrasjet e pakuptimta, tërhiqni të gjitha trupat tuaja nga Ukraina dhe bini dakord për bisedimet e paqes me qeverinë ukrainase," tha kancelari të mërkurën gjatë një konference të përbashkët shtypi që dha me presidentin e Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades.

Scholz dënoi gjithashtu sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë si "terrorizëm me bombë kundër popullatës civile". 

"Fakti që Rusia ka hedhur bombat e saj kundër infrastrukturës civile për javë të tëra është jo vetëm e patolerueshme, por edhe një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe tregon edhe një herë sa i pamëshirshëm është Vladimir Putin në luftë", përfundoi kancelari gjerman.