Valë sulmesh ruse në Ukrainë
Ukraina dhe Moldavia fqinje janë përballur me ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike pas valës së fundit të sulmeve ruse.
Të paktën gjashtë civilë në Ukrainë u vranë dhe zyrtarët u detyruan të mbyllnin tre reaktorë bërthamorë për shkak të ndërprerjeve të energjisë.
Moldavia nuk u godit drejtpërdrejt, por gjysma e vendit humbi energjinë.
Me fillimin e dimrit, Moska ka rritur sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Gjysma e rrjetit energjetik të vendit ka nevojë për riparim.
Të mërkurën, një alarm për sulm ajror u lëshua në të gjithë Ukrainën, i ndjekur nga raporte për shpërthime në një numër vendesh - duke përfshirë në kryeqytetin Kiev dhe në qytetin perëndimor Lviv.
Në rajonin jugor të Zaporizhzhia, një foshnjë e porsalindur u vra kur një raketë goditi një njësi materniteti , thanë shërbimet e urgjencës.
Gjenerali Valeriy Zaluzhniy - komandanti i forcave të armatosura të Ukrainës - tha se 67 raketa lundrimi u lëshuan nga Moska.
Në Kiev, disa pjesë të qytetit mbetën pa ujë dhe plotësisht pa energji. Në mbrëmje, kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se të paktën 80% e banorëve mbetën pa energji dhe ujë.
Shumica e termocentraleve dhe hidrocentraleve u detyruan të mbyllen gjithashtu, tha ministria e energjisë e Ukrainës.
