Shamia e Viktor Orban me 'Hungarinë e Madhe' zemëron Rumaninë dhe Ukrainën
Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, ka zemëruar fqinjët lindorë të vendit të tij, Rumaninë dhe Ukrainën, duke veshur një shall futbolli me një hartë të një Hungarie të zgjeruar.
Imazhi përfaqëson Hungarinë e Madhe - territorin e vjetër perandorak hungarez që ekzistonte përpara humbjes së Austro-Hungarisë në Luftën e Parë Botërore.
Rumania shprehu "mosmiratim të fortë" për gjestin e Orban, në një mesazh drejtuar ambasadorit hungarez në Bukuresht. Ukraina nga ana e saj kërkoi falje zyrtare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko tha se Kievi po thërriste ambasadorin e Hungarisë "i cili do të informohet për papranueshmërinë e aktit të Viktor Orban".
"Promovimi i ideve revizioniste në Hungari nuk kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve ukrainas-hungareze dhe nuk korrespondon me parimet e politikës evropiane," tha ai në Facebook.
Faqja e Orbanit në Facebook ka një video që tregon atë duke përshëndetur futbollistët hungarezë dhe duke veshur shallin, të cilin e mbajti gjatë një ndeshjeje mes Hungarisë dhe Greqisë të dielën.
Rreth 1.2 milionë hungarezë etnikë jetojnë në Rumani dhe 150,000 në Ukrainën perëndimore. Më parë ka pasur tensione mbi përpjekjet e Orban për të promovuar identitetin hungarez në të dy vendet.
Në protestën e saj të hënën, ministria e jashtme rumune tha se "çdo manifestim revizionist, pavarësisht nga forma që merr, është i papranueshëm, në kundërshtim me realitetet aktuale dhe angazhimet e ndërmarra së bashku nga Rumania dhe Hungaria".
Territori i vjetër hungarez përfshinte gjithashtu pjesë të asaj që sot janë Austria, Kroacia, Serbia dhe Sllovakia.

