Gjykata e Lartë vendos kundër Trumpit, mund të ndikojë te gara për president në 2024-ën
Vetëm një javë pasi shpalli kandidaturën për president, Trumpit i erdhi një goditje nga Gjykata e Lartë amerikane. Ai e cilësoi politike, ndërsa gjyqtarët vendosën se publiku duhet të dijë nëse biznesmeni dhe poltikani i fuqishëm Trump ka qenë taksapagues i rregullt, apo i ka shmangur ato.
Trumpi e ka humbur betejën e gjatë gjyqësore për çështjen nëse ka qenë apo jo një taksapagues i rregullt amerikan.
Pasditen e së mërkurës, Gjykata e lartë amerikane vendosi se ish-presidenti duhet të dërgojë të gjithë të dhënat përpara komisionit hetimor të Kongresit.
Ka pasur akuza ndaj ish-presidentit Trump se nuk ka qenë taksapagues i rregullt, madje medie afër demokratëve e kanë akuzuar edhe për fshehje të të ardhurave.
Kjo akuzë ka peshë specifike te publiku amerikan, ndërsa sipas shumë analistëve mund të ndikojë edhe te kandidatura e tij për presidencialet e vitit 2024.
Për rastin reagoi ish-presidenti në një postim në rrjetin “Truth Social”. Trump e quajti vendimin "të paprecedentë".
"Pse habiteni që Gjykata e Lartë ka vendosur kundër meje. E bëjnë gjithmonë! Është e paprecedentë të dorëzohen deklaratat tatimore, dhe kjo krijon një precedent të rrezikshëm për presidentët e ardhshëm," shkroi Trump në një dy postime.
Ky vendim i Gjykatës së Lartë i çel udhën një hetimi të nisur më herët nga Kongresi, ndërsa kalvari disavjeçar në drejtësinë amerikane mori fund me goditjen e çekiçit nga gjyqtarët më të rëndësishëm të vendit.

