VIDEO/ Dy bomba shpërthejnë në stacionet e autobusëve në Jerusalem, një i vdekur dhe 15 të plagosur

VIDEO/ Dy bomba shpërthejnë në stacionet e autobusëve

Të paktën një person humbi jetën në dy shpërthimet që ndodhën sot në stacionet e autobusëve në periferi të  Jerusalemit, ndërsa 15 të tjerë u plagosën, tha një zëdhënës i policisë izraelite.

Identiteti i viktimës nuk bëhet i ditur për momentin.

Sulmi i parë ndodhi në një stacion autobusi pranë daljes së Jeruzalemit, i ndjekur nga një sulm i dytë rreth 30 minuta më vonë në një tjetër stacion autobusi në pjesën lindore të qytetit, të cilin policia ia atribuoi organizatave palestineze.

Pamjet e transmetuara nga rrjetet televizive tregojnë mbeturina në vendin e shpërthimit të parë, i cili është rrethuar nga policia. 

Një shërbim i ndihmës së parë kishte njoftuar më herët se 12 persona u dërguan në spital me lëndime pas shpërthimit të parë, nga të cilët të paktën dy ishin në gjendje kritike.

Të paktën tre persona u plagosën nga shpërthimi i dytë.

Abdel Latif al-Kanua, një zëdhënës i organizatës palestineze Hamas, vlerësoi sulmet, duke shpjeguar se ato ishin "për shkak të krimeve të kryera nga forcat pushtuese dhe kolonët". Megjithatë, organizata nuk ka marrë përgjegjësi për ta.

Shpërthimet pasojnë disa muaj tensionesh në Bregun Perëndimor, territor palestinez i mbajtur nga Izraeli që nga viti 1967, ku ushtria izraelite ka rritur operacionet pas një serie sulmesh vdekjeprurëse anti-izraelite në mars dhe prill. 

Që atëherë, ajo ka nisur mbi 2,000 bastisje në Bregun Perëndimor, veçanërisht në sektorët Jenin dhe Nablus.

Bastisjet e saj, gjatë të cilave shpesh shpërthejnë përleshje me popullsinë palestineze, kanë marrë jetën e mbi 125 personave në anën palestineze. Sipas OKB-së, ky është numri më i madh në Bregun Perëndimor në rreth shtatë vjet.

VIDEO/ Dy bomba shpërthejnë në stacionet e autobusëve