Tragjedi në Nigeri: Të paktën 37 të vdekur nga një aksident mes dy autobusëve

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën sot në një aksident autobusi në verilindje të Nigerisë. 

Aksidenti fatal ka ndodhur në afërsi të qytetit Maiduguri kur dy autobusë janë përplasur kokë më kokë dhe kanë shpërthyer në flakë.

Një autobus i tretë më pas u përplas me dy automjetet e djegura, sipas Uten Boyi, kreu i agjencisë së sigurisë rrugore në shtetin Borno.

“37 persona u vranë, shumica e tyre të djegur”, tha Boyi. Ai vuri në dukje se goma e shpuar ka bërë që drejtuesi i një autobusi të humbasë kontrollin e mjetit të tij, i cili kishte zhvilluar shpejtësi të madhe.

Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Nigeri, ku kushtet e rrugëve janë përkeqësuar javët e fundit për shkak të përmbytjeve më të rënda të vendit afrikan në dekada.