Rusia: Ukraina nuk do negociata, e ka ndryshuar pozicionin në lidhje me ne
Zërat pozitivë për një paqe të mundshme mes Rusisë dhe Kievit nuk kanë zgjatur më shumë se një javë. Moska akuzoi të enjten Ukrainën se po ndryshon objektivat dhe i kërkoi SHBA-ve që ta orientonin Kievin drejt diplomacisë.
Kremlini akuzoi të enjten Kievin për ndryshimin e objektivave në lidhje me bisedimet e mundshme të paqes.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Kremlini nuk mund të imagjinonte përfshirjen në negociata publike dhe i bëri thirrje Uashingtonit që ta shtyjë Kievin drejt diplomacisë.
Peskov tha se Shtetet e Bashkuara ishin të afta të merrnin parasysh shqetësimet e Rusisë dhe mund të inkurajonin Kievin që të kthehej në tryezën e bisedimeve nëse do të dëshironin.
Peskov tha gjithashtu se Ukraina kishte ndryshuar pozicionin e saj nëse donte të negocionte me Moskën disa herë gjatë konfliktit nëntë-mujor.
"Fillimisht ata negociojnë, pastaj refuzojnë të negociojnë, pastaj miratojnë një ligj që ndalon çdo lloj negociate, pastaj thonë se duan negociata, por ato të jenë publike. Prandaj është e vështirë të imagjinohen negociatat publike. Një gjë është e sigurt: ukrainasit nuk duan asnjë negociatë," tha ai.
Presidenti i Ukrainës, Zelenski më 15 nëntor u tha udhëheqësve botërorë se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është tani.