Zelenski kërkon që edhe Ukraina të marrë pjesë në hetimet e Polonisë
Ukrainën nuk e bindin konkluzionet e NATO-s dhe Amerikës në lidhje me shpërthimin e raketave që ranë në Poloni. Zelenski këmbëngul që të marrë në dorë të gjitha të dhënat që ka Aleanca dhe të përfshijë ekspertët ukrainas në investigim.
Presidentin ukrainas nuk e bindin investigimet paraprake të NATO-s në lidhje me shpërthimin në Poloni mbrëmjen e së martës i cili la dy burra të vdekur.
Në adresimin e tij të mesnatës, kreu i shtetit u kërkoi aleatëve që t’i japin Kievit të gjitha të dhënat që kanë në lidhje me raketat që ranë në fshatin Psovedu, për të cilat NATO tha se kishin ardhur nga forcat ajrore mbrojtëse ukrainase.
"Pozicioni i Ukrainës është i qartë. Ne përpiqemi të përcaktojmë të gjitha detajet, çdo fakt. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për specialistët tanë që t’i bashkohen punës së hetimit ndërkombëtar dhe që të kemi akses në të gjitha të dhënat në dispozicion të partnerëve tanë dhe në vendin e shpërthimit," tha ai.
Më herët edhe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden tha se inteligjenca amerikane kishte evidentuar se raketat kishin ardhur nga forcat ukrainase.
Edhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda tha se nuk kishte fakte që raketat e rëna në fshatin e shtetit të tij të kishin ardhur nga forcat ruse.
Moska mohon çdo lidhje me raketat që ranë në fshatin Psovedu mbrëmjen e së martës edhe pse ato ishin të llojit sovjetik.
Megjithatë sipas të dhënave raportohet se forcat e Kievit disponojnë disa armë të periudhës sovjetike në stoqet e tyre.
