Rusia sulmon me raketa Portin e Odesës, zbulohen varre me kufoma të torturuara në Kherson
Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të nëntë Porti jugor i Ukrainës, Odessa, u godit mëngjesin e së enjtes nga një raketë ruse. Po ashtu dhe një seri shpërthimesh kanë ndodhur edhe në qytetin e Dnipros, ku po zhvillohen luftime të ashpra
Rusia nuk i ndalon sulmet me raketa në pikat nevralgjike të Ukrainës.
Porti jugor i Ukrainës, Odessa, u godit mëngjesin e së enjtes nga një raketë ruse.
Autoritetet ukrainase bëjnë me dije se një seri shpërthimesh kanë ndodhur edhe në qytetin e Dnipros, ku po zhvillohen luftime të ashpra.
Teksa luftimet janë ndezur, hetuesit kanë gjetur 63 trupa me shenja torture në rajonin Kherson pasi rusët u larguan nga atje, tha ministria e Nrendshme e Ukrainës herët në mëngjes.
Ministri i Brendshëm ukrainas Denis Monastirsky tha se “hetimi sapo ka filluar, kështu që do të identifikohen shumë vende të tjera ndalimi dhe varrimi”.
Ministri shtoi se hetuesit kanë regjistruar 436 incidente të krimeve të luftës gjatë pushtimit rus të Khersonit, ndërsa deri më tani janë gjetur njëmbëdhjetë objekte paraburgimi, duke përfshirë katër ku janë kryer tortura.
Ndërkaq Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky priti në Kiev drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, William Burns. Sipas mediave të huaja, takimi ndërmjet tyre vjen pasi Burns u takua me shefin e spiunazhit të presidentit rus Vladimir Putin në Turqi.
Dhe vizita e Burns në Kiev ndodhi ndërsa Rusia sulmoi Kievin me raketa. Nisur nga këto zhvillime presidenti Zelensky tha se kreu i CIA-s kishte kaluar kohë në një “bunker” përpara se ata të takoheshin.
Në Uashington, një zyrtar amerikan ka treguar se Burns kishte udhëtuar në Kiev për të takuar homologët e inteligjencës ukrainase dhe Zelensky pas takimit të tij në Ankara.
