"Kosova duhet të pranojë projektin franko-gjerman", Veliu: Vendimi për targat, autogol nga sulmi
Praninë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Paris, Lulzim Veliu e sheh si një rast të mirë për të diskutuar më tej rreth planit franko-gjerman, përmbajtja e të cilit u mësua për publikun vetëm një ditë më parë.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ai thotë se ky plan duhet pranuar nga Kosova.
"Duhet ti futemi bisedimeve për realizimin e këtij projekti franko-gjerman, i cili është shumë pozitiv dhe për tu pranuar".
Sipas tij vendimi i qeverisë së Kosovës për targat ishte në një moment të gabuar, teksa pas vendimmarrjes së Kurtit thotë se është dora e presidentes Osmani.
"Qeveria e Kosovës apo negociuesit tanë kanë bërë disa gabime dhe në një moment shumë të mirë që e kemi si Kosovë. Bazuar në krizat europiane dhe luftën ruso-ukrainase, ne nuk jemi duke vepruar si duhet. Vendimi për targat ishte i duhuri por jo në momentin e duhur. Ky vendim bëri që të eskalojë situata në veriun e Kosovës dhe Vuçiç arriti ta shfrytëzojë më së miri.
Ai veproi menjëherë duke larguar të gjithë deputetët e listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës. Ky ishte një autogol nga sulmi. Vendimi i qeverisë Kurti për targat është i shtyrë nga presidentja Osmani. Vendimi mund të ketë prapavijën e saj dhe është i dëmshëm, i rrezikshëm dhe antikombëtar. Kurti është i kushtëzuar nga Osmani. Rublat ruse kanë arritur dhe në Kosovë. Osmani deri më sot nuk ka qenë presidente, por ngacmuese e procesit, vetëm unitet nuk përfaqësoi".
Sipas ekspertit për çështjet europiane, Presidenti serb po e shfrytëzon më së miri këtë situatë, duke tentuar të rikthejë edhe njëherë në tavolinë ndarjen e veriut të Kosovës.
"Vuçiç para disa vitesh provoi dhe tentoi të bëjë ndarjen e Kosovës. Pas këtij gabimi që bëmë ne po tenton ta rikthejë në tavolinë. Ai sot është i gatshëm të njohë Kosovën nëse arrin të ndajë veriun".

