E bullizuan kur ishte i vogël, Ges Rabo: E ktheva në forcë. Tani njerëzit më duan, por unë jam më selektiv
Në puntatën e sotme të “Why Not” në RTV Ora, ishte i ftuar edhe Ges Rabo, i njohur nga publiku si djali albin.
Kësaj rradhe ai ishte i ftuar si një multitalent, tekstshkrues, këngëtar e aktor.
I pyetur nga moderatorja Roza Lati mbi projektet, ai deklaroi se tanimë është në bashkëpunim me dy studio muzikore.
Ges Rabo: Po frekuentoj dy studio muzikore, ku jam resident si i shtëpisë: tek “Argonaut art Factory” i Bojken Lakos dhe tek STI records e Stines.
Ai tregoi dhe mbi një kompeticion për talentet e reja ku mori pjesë dhe fitoi.
Ges Rabo: Shkova me mendjen për ta fituar dhe e fitova. Pata impakt ndryshe si në publik dhe nga ana e jurisë tek kompeticioni. Kur dola unë, (Roza: Nuk u pa asnjë tjetër)… Po! E mora me vendim unanim i jurisë. Kjo bëri që Stine të më afronte tek studio e vet, shumë më tepër se videoklipi që fitova.
Ges tregoi dhe për momentet e tij të vështira e mbi periudhën kur u përball me bullizmin. Një gjë të tillë ai e ka shprehur dhe tek kënga e tij më e re “Meno”.
Ges Rabo: Kënga flet për një dialog mes meje dhe fëmijës brenda meje që më thotë shiko, të thanë dikur që nuk ia dole dot, por tani ndryshuan të gjithë mendim për ty dhe po të shohin shumë më ndryshe nga ai syri i parë që të panë, jo kur isha fëmijë, por tani që u ngjita. Nuk e patën besimin kur isha fëmijë, tani që ia arrita kthehen të gjithë. Tani duan të më qëndrojnë afër, se kush e do suksesin. Tani jam më ndryshe me njerëzit se e di ҫfarë duan.
Ges Rabo: Kam pasur një bullizëm të theksuar në popullatë të gjerë. Shoh se nuk ka pasur emancipimin e duhur. Tani që po flasim njerëzit po civilizohen se dhe fëmijët po edukohen me cellular para fytyrës dhe shohin kulturën e huaj, e po emancipohen.
Ai tregoi se deri në një moshë e vuante, megjithatë pas adoleshencës ajo iu kthye në forcë e tani të gjithë e duan dhe e përkrahin.
Ges Rabo: Ka pasur bullizëm, përbuzje etj. E kam vuajtuar pak kohë, deri në momentin që hyra në adoleshencë. Pastaj erdhi momenti që e gjithë vuajtja u kthye në një moskokëҫarje të madhe, një rebelim shumë i madh.
Roza Lati: Ҫfarë këshille do ti japësh të gjithë të rinjve, fëmijëve që do të rriten?
Ges Rabo: Do të doja të flisja më tepër për atë grupmoshë shumë delikate, para adoleshencës. Ky lloj bullizmi mund të ndikojë edhe për mirë, se të jep një shtysë, por dhe për keq se mund ti lërë mbrapa. Ka pasur raste që unë i di që i ka lënë mbrapa.
Dua t’ju them që mos të dëgjojnë asnjë njeri që ju flet për keq, por ndiqni ëndrrat tuaja, bëni atë që ndjeni. Në momentin që jetoni, mos shikoni gjërat e tjera rreth e rrotull se nuk ia vlen. Kjo kohë do t’ju duhet prap.