PE bën thirrje për zgjedhje të reja: Mali i Zi ndodhet në një krizë serioze politike
Parlamenti Evropian ka konfirmuar krizën politike në Mal të Zi e cila sa po vjen edhe po polarizohet. Kreu i delegacionit të ligjvënësve evropianë në Podgoricë ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat janë kërkuar prej kohësh edhe nga kreu i shtetit, Gjukanoviç.
Parlamenti Evropian thotë se zgjidhja e krizës politike në Mal të Zi është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e reja janë kërkuar më herët edhe nga presidenti i vendit Millo Gjukanoviç, por janë hedhur poshtë nga e ashtuquajtura shumicë parlamentare e cila ishte fituese e zgjedhjeve të 2020.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian në Podgoricë Vladimir Bilçik tha se Podgorica prej vitesh ka ngelur në vend numëro për sa i përket përparimit të vendit në rrugën evropiane.
“Mali i Zi nuk ka një qeveri legjitime, themelet ekonomike, kushtetuese dhe politike të vendit janë të kërcënuara dhe prej vitesh nuk ka bërë përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë mënyra për të dalë nga kriza aktuale politike.”
Zgjidhja e situatës së polarizuar politike sipas diplomatit të PE-së është vazhdimësi e kritikave të ndërkombëtarëve për Malin e Zi për shkak të Ligjit problematik për Presidentin.
Me atë ligj, Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA po përpiqen të kufizojnë kompetencat kushtetuese të presidentit Millo Gjukanoviç dhe t'i transferojnë ato në shumicën aktuale parlamentare, në mënyrë që të rikandidojnë të preferuarin e tyre Miodrag Lekiç për formimin e qeverisë së re.
Kandidatura e tij u hodh poshtë nga kreu i shtetit për shkak se nuk i çuan formularin që vërtetonte se fituesit e zgjedhjeve të 2020 kishin shumicën në Kuvend.
Kreu i delegacionit të PE-së thekson se as qeveria e Abazoviç nuk arriti ta çonte përpara progresin e vendit drejt BE-së.
“Krahas krizës politike, vendi është edhe pa Gjykatë Kushtetuese për shkak se aktorët politikë nuk dialogojnë për mbushjen e vakuumit.”, tha Vladimir Bilcik.

